Ne kërkojmë të ndërhyjë në një gamë të gjerë aktivitetesh dhe në masë të tillë që të ndikojnë në mirëqenien sociale, në jetën e njerëzve dhe në shoqërinë në përgjithësi.
Në këtë mënyrë, ai përdor një nga konceptet më të pranuara në matjen e zhvillimit social-ekonomik të shoqërive bashkëkohore – konceptin e Zhvillimit Njerëzor.
Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI në anglisht) është një metodë e standardizuar vlerësimi dhe përdoret për të matur mirëqënien e një popullsie. Me anë të kësaj metode krahasohen: niveli i pasurisë, shkrim-leximit, arsimimit, lindshmërisë dhe tregues të tjetër të një popullsie me atë të shoqërive të shëndetshme dhe me mirëqënie të lartë.
Ky Indeks u zhvillua në vitin 1990 nga ekonomisti pakistanez Mahbud ul Haq dhe prej këtij viti deri në 1993 u përdor nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, në raportin e tij vjetor.
“Qëllimi kryesor i zhvillimit është që të shtojë mundësitë e zgjedhjes për njerëzit. Në parim, këto zgjedhje mund të jenë të pafundme dhe mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Njerëzit shpesh vlerësojnë më shumë arritjet që nuk janë shumë të dukshme, ose që nuk janë të menjëhershme përsa i përket të ardhurave ose zhvillimit personal si: qasje më e madhe ndaj njohurive (dijes), ushqyerje dhe shërbim shëndetësor më i mirë, siguri më e lartë për të siguruar jetesën, siguri ndaj krimit dhe dhunës fizike, mundësi argëtimi, liri politike dhe kulturore dhe ndjenjë e pjesëmarrjes dhe përfshirjes në aktivitetet e komunitetit. Qëllimi i zhvillimit është krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për njerëzit që të gëzojnë jetë të gjatë, të shëndetshme dhe krijuese”
Mahbub ul Haq
Citojmë Kombet e Bashkuara për të kuptuar këtë koncept:
“Zhvillimi njerëzor është shumë më tepër sesa rritja ose rënia e të ardhurave kombëtare. Ai ka të bëjë me krijimin e një mjedisi në të cilin njerëzit mund të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë dhe të kenë një jetë produktive dhe krijuese në përputhje me nevojat dhe interesat e tyre. Njerëzit janë pasuria e vërtetë e kombeve. Zhvillimi ka të bëjë me zgjerimin e zgjedhjeve që njerëzit të jetojnë jetën sipas vlerësimit të tyre. Kjo pra është shumë më tepër sesa thjesht rritja ekonomike, e cila nga ana e saj është vetëm një mjet – dhe është shumë e rëndësishme për shtimin e mundësive të zgjedhjeve nga njerëzit.
Thelbësore për shtimin e këtyre zgjedhjeve është ndërtimi i aftësive njerëzore – sfera e gjërave që njerëzit mund të bëjnë ose të jenë në jetë. Aftësitë themelore për zhvillimin njerëzor janë ato që i lejojnë ata që të jetojnë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, të jenë të pajisur me njohuri dhe dije, të kenë qasje në burimet e nevojshme për një standard jetese të denjë dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën e komunitetit. Pa këto, shumë zgjedhje nuk janë të disponueshme dhe shumë mundësi në jetë mbeten të paarritshme.
Kjo mënyrë e trajtimit të zhvillimit, e cila shpesh harrohet nga shqetësimi i përditshëm për të grumbulluar të mira materiale dhe pasuri financiare, nuk është e re. Filozofët, ekonomistët dhe udhëheqësit politik kanë theksuar për një kohë të gjatë mirëqënien njerëzore si qëllimin final të zhvillimit. Ashtu siç thoshte Aristoteli në Greqinë e Lashtë, “Pasuria padyshim që nuk është ajo e mirë që ne po kërkojmë, sepse është ajo që ne kërkojmë është e dobishme për diçka tjetër.
Duke kërkuar këtë gjë tjetër, zhvillimi njerëzor ndan një vizion të përbashkët me të drejtat e njeriut. Qëllimi kryesor është liria e njeriut. Në procesin e aftësimit dhe realizimit të të drejtave, kjo liri është jetësore. Njerëzit duhet të jenë të lirë të ushtrojnë zgjedhjet e tyre dhe të marrin pjesë në vendimarrjet që ndikojnë jetën e tyre. Zhvillimi njerëzor dhe të drejtat e njeriut po fuqizohen reciprokisht, duke ndihmuar në sigurimin e mirëqenies dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve, duke ndërtuar respektin vetjak dhe respektin e të tjerëve”.
In http://hdr.undp.org/hd/